Shtatzënia klinike dhe shtatzënia kimike

Shtatzënia klinike dhe shtatzënia kimike

Klinike quhet shtatzënia e cila konfirmohet si nga nivelet e larta të hormonit hCG ashtu edhe nga prania e sakusit gestacional ose e rrahjeve të zemrës së fetusit nëpërmjet ekografisë.

Mund të ndodhë që shtatzënia të përfundojë përpara se të konfirmohet nga ekografia, kjo njihet si shtatzëni kimike.

Termi “kimike” lidhet me faktin se shtatzënia dëshmohet vetëm nga prania e molekulave biologjike – kimike të hormonit hCG të cilat prodhohen pasi embrioni implantohet në mitër.

Këto molekula zbulohen mjaft herët, që në javën e dytë pas bashkimit të vezës me spermatozoidin. Kurse që shtatzënia të quhet klinike pra që fetusi të japë shënja jete të detektueshme nga ekografia duhet pritur deri në 5 – 6 javë.

Rastet kur shtatzënia mbetet vetëm kimike pra ndërpritet herët në fakt janë të shumta. Ato zënë rreth 50 % të aborteve  dhe mund të shkaktohen nga:

– Anomali kromozomale të fetusit

– Nivele jo normale hormonale

– Keqformime të mitrës

– Implantim jashtë mitre

– Infeksione si klamidia dhe sifilisi

Një pjesë e madhe e grave mund të mos e kuptojnë që kanë përjetuar një shtatzëni kimike duke qënë se simptomat e shtatzënisë nuk ju kanë filluar ende.