Testet diagnostikuese për infertilitetin mashkullor

Testet diagnostikuese për infertilitetin mashkullor

Kur një çift ka vështiësi për të konceptuar një shtatzëni, ka rreth 40% mundësi që problemi të jetë tek mashkulli. Ai mund të:

  • Prodhojë një numër shumë të ulët spermatozoidësh
  • Ketë probleme me morfologjinë
  • Ketë një bllokim në traktin riprodhues, duke mos lejuar spermatozoidët të dalin në ejakulat.

Në rastet e infertilitetit mashkullor kryhen disa testime domethënëse për infertilitetin mashkullor, të cilat janë:

Analiza e materialit seminal

Kjo është analiza e parë që një burrë i nënshtrohet. Materiali seminal merret në një kontenitor plastik steril. Analiza do të japë informacione përsa i përket vëllimit të ejakulatit, numrit total të spermatozoidëve në atë ejakulat, përqëndrimit të spermatozoidëve në një mililitër sperme, lëvizshmërinë e spermatozoidëve si dhe morfologjinë. Gjithashtu, analiza jep indikacione për praninë e një infeksioni në sistemin riprodhues, kurse për të vërtetuar këtë prani duhet të realizohet analiza e kulturës së materialit seminal.

Niveli hormonal

Hormonet kontrollojnë prodhimin e spermatozoidëve, ato gjithashtu ndikojnë edhe në dëshirën seksuale. Çrregullimet në nivelet hormonale ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin seksual mashkullor. Dy hormonet më të rëndësishme për riprodhimin janë FSH (hormoni folikul –stimulues) dhe testosteroni.

Testi i fragmentimit të ADN-së

Informacioni shtesë që jepet nga ky test lidhet me integritetin e molekulës së ADN-së, i cili është një parametër shumë i rëndësishëm për potencialin fertilizues të spermatozoidëve së bashku me përqëndrimin, lëvizshmërinë dhe morfologjinë.
Ky test rekomandohet në këto raste:

  • Çiftet që kanë një historik abortesh
  • Çiftet që kanë një infertilitet të pashpjegueshëm për më shumë se 6 muaj
  • Partneri është mbi 40 vjeç
  • Partneri ka pasur kancer
  • Partneri është i ekspozuar ndaj agjentëve toksikë
  • Partneri ka pasur infeksione urogjenitale
  • Partneri ka një stil jetese jo të shëndetshëm: pi duhan, është sedentar, ndjek një dietë ushqimore jo të balancuar ose është obez
  • Cilësi e ulët e embrioneve pas teknilave të FIV.

 

 

Testi gjenetik

Në raste specifike mjeku këshillon kryerjen e analizave gjentike siç është kariotipi i cili vlerëson numrin e kromozomeve dhe anomalitë kromozomike tek burri.